Shkencëtarët në Kinë kanë zhvilluar një krehër elektrik të ri, i cili premton të stimulojë rritjen e shpejtë të flokëve dhe të ndihmojë në rikthimin e tyre me një efektivitet “gati 100 për qind” te individët që vuajnë nga rënia e flokëve.
Ky krehër elektronik, i emërtuar “Detangle”, sipas studiuesve, është dukshëm më efektiv në rikthimin e rritjes së flokëve sesa trajtimet konvencionale, megjithëse pajisja është ende në fazën eksperimentale.
Deri më tani, teknologjia është testuar vetëm te minjtë. Megjithatë, ekipi kërkimor nga Universiteti Beihang në Pekin sugjeron se rezultatet tregojnë një potencial të madh për përdorim edhe te njerëzit, për trajtimin e alopecisë androgjenetike, e njohur si tullacia e tipit mashkullor.
Krehëri elektronik u prezantua këtë muaj përmes një studimi të botuar në revistën prestigjioze shkencore “Nature Communications”.
Studimi, me titull “Stimulimi elektrik përmes krehjes, i sinkronizuar me shpërndarjen e thellë të substancave, për rritjen e shpejtë të flokëve në rastet e alopecisë androgjenetike”, thekson se sistemi “Detangle” arriti rezultate superiore ndaj minoksidilit, përbërësit aktiv të produktit të njohur kundër rënies së flokëve “Rogaine”.
Krehëri “Detangle” është i pajisur me dhëmbëza elektronike, të cilat përfshijnë elektroda me lartësi të ndryshme dhe molekula të integruara për bartjen e substancave aktive. Këto krijojnë një fushë elektrike në zonat ku ndodhen folikulat e flokëve.
Studiuesit raportojnë se ky sistem rriti ndjeshëm efektivitetin e rikthimit të flokëve te minjtë me alopeci androgjenetike, duke përmirësuar rezultatet nga rreth 70 për qind në gati 100 për qind brenda një muaji, krahasuar me trajtimin konvencional me minoksidil të aplikuar në lëkurë.
