Arda Güler ka shprehur emocionet e tij pas rinovimit të kontratës me Real Madridin deri më 30 qershor 2032.

Mesfushori turk e konsideron vazhdimin e aventurës në Santiago Bernabéu një nder të madh dhe synon të bëhet pjesë e historisë së klubit madrilen.

“Kur vesha për herë të parë fanellën e Real Madridit, e dija se po bëhesha pjesë e një historie madhështore. Sot ndiej të njëjtën krenari dhe të njëjtin gëzim, por me një përgjegjësi edhe më të madhe”, shkroi Güler në mesazhin e tij, përcjell “Gazeta Express”.

Ai nuk e fshehu ambicien për të ndjekur gjurmët e legjendave që kanë kaluar nëpër klubin mbretëror.

“Është një nder i madh të ndjekësh hapat e legjendave që kanë shkruar emrat e tyre në historinë e futbollit. Ëndrra ime është ta vesh këtë fanellë për shumë vite, të fitojmë trofe të rinj së bashku dhe një ditë të lë edhe unë gjurmët e mia në këtë histori unike”, deklaroi turku.

Në fund, 21-vjeçari falënderoi presidentin Florentino Pérez, familjen, bashkëlojtarët, stafin teknik dhe trajnerët që e kanë ndihmuar gjatë rrugëtimit të tij.

Një falënderim të veçantë ua dedikoi tifozëve madrilenë në mbarë botën për mbështetjen e vazhdueshme. /Gazeta Express