Vëllai i miliarderit të dënuar për abuzim seksual me të mitur, Jeffrey Epstein, ka publikuar një seri fotografish nga autopsia e tij, duke kërkuar gjithashtu zhvillimin e një “hetimi të vërtetë për vrasje”.

Veprimi i Mark Epstein vjen pas deklaratave të ekspertit mjeko-ligjor Michael Freeman, i cili pretendon se provat tregojnë se vdekja e Jeffrey Epstein në një qeli burgu në Manhattan, në vitin 2019, nuk ishte pasojë e vetëvrasjes me varje, siç është versioni zyrtar.

Sipas Freeman, pamjet tregojnë se dëmtimet në trupin e Epstein nuk mund të jenë shkaktuar nga vetëvrasja.

“Kjo lë të hapur vetëm versionin e vrasjes”, deklaroi ai.

“Duhet të pyesësh veten se kush e vrau dhe kush urdhëroi vrasjen e tij? Pse Departamenti i Drejtësisë po e mbulon këtë çështje? Kë po mbrojnë?”, u shpreh ai, duke shtuar se një organ i pavarur duhet të zhvillojë një hetim të vërtetë për vrasje.

Freeman, deklaron se ka studiuar për një vit gjetjet e autopsisë. Sipas tij, shenjat në qafë dëshmojnë se ka pasur një përleshje dhe, për rrjedhojë, bëhet fjalë për vrasje me mbytje.

Ai pretendon se shenjat e litarit në qafën e Epstein nuk janë të njëtrajtshme, siç ndodh në rastet e vetëvrasjes. Sipas tij, provat përputhen me versionin e një sulmi dhe të mbytjes nga pas, duke përdorur të njëjtin mjet me të cilin viktima u gjet i varur.

Freeman pretendon gjithashtu se ka vërejtur edhe shenja thonjsh mbi gjurmët e litarit.

Nga ana tjetër, në autopsinë fillestare, të kryer nga mjekja Kristin Roman, nuk u konstatuan shenja përleshjeje dhe as prova të një vrasjeje. Ajo përjashtoi mundësinë e mbytjes apo të dëmtimeve të tjera të dyshimta në trupin e tij.

“Ka ardhur koha që opinioni publik ta rishqyrtojë këtë çështje”, thekson Freeman për një nga çështjet më të bujshme, e cila duket se ende përmban shumë pikëpyetje dhe elemente të paqarta.