**Sulm i Rëndë Kibernetik Prek Komisionin Evropian, Të Dhënat Personale në Rrezik**
Komisioni Evropian është përballur me një sulm të rëndë kibernetik, i cili ka prekur disa nga sistemet e tij të brendshme dhe ka shkaktuar ndërprerje shërbimesh për më shumë se 10 ditë. Problemet ende nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërsa incidenti mund të ketë vënë në rrezik një sasi të konsiderueshme të të dhënave personale.
Lajmi, i raportuar nga Politico, tregon se sulmi ka pamundësuar përkohësisht punonjësit të regjistrojnë të dhënat e pagave, kërkesat për leje dhe informacione të tjera administrative. Për shkak të situatës, kriza u diskutua edhe nga zyrtarët e lartë të Komisionit gjatë mbledhjes së tyre të përjavshme, të mërkurën.
“Komisioni vlerëson se ka arritur të kufizojë pjesën më të madhe të sulmit, megjithatë përmasat e plota të dëmeve mbeten ende të paqarta,” deklaroi për Playbook një zyrtar i Bashkimit Evropian. Ai shtoi se “sistemet mund të rikthehen gradualisht në funksion. Megjithatë, përgjigjet po vonojnë pak më shumë.”
Sipas Politico, shërbimi i sigurisë kibernetike i institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerë ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX-in, një mjet të inteligjencës artificiale të disponueshëm publikisht, i krijuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike. Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht.
Zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier, deklaroi për Playbook se “Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmesh kibernetike të identifikuar. U shënjestruan sisteme të veçanta dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, njoftuam personat e prekur.”
Pasojat e sulmit kanë shkaktuar probleme për më shumë se 10 ditë. Ndër sistemet e prekura ishte Sysper, platforma e burimeve njerëzore e Komisionit, e përdorur për administrimin e fletëpagesave, kërkesave për leje dhe regjistrimin e orëve të punës. Probleme pati edhe me MyPMO, sistemin për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore. Ndonëse të dyja platformat u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme të mërkurën.
Sipas një emaili të brendshëm, të siguruar nga Playbook, Komisioni Evropian kishte mbledhur në fillim të këtij muaji organin e tij më të lartë të brendshëm për menaxhimin e krizave, Bordin e Menaxhimit të Korporatës, në një takim të jashtëzakonshëm lidhur me “incidentet e vazhdueshme të sulmeve kibernetike”. Gjatë takimit, shërbimi përgjegjës për shërbimet digjitale dha udhëzime për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë. Ndërkohë, komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, informoi kolegët e saj gjatë mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve, të mërkurën, për masat e menjëhershme që po ndërmerren për të përballuar krizën.
Ky sulm ndaj Komisionit Evropian vjen në një kohë kur në nivel ndërkombëtar janë regjistruar edhe incidente të tjera të sigurisë kibernetike. Institucione dhe kompani të tjera të prekura nga probleme të ngjashme përfshijnë Microsoft-in, banka të mëdha amerikane, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), si dhe faqe të njohura interneti si Air France, BBC dhe Zoom.
