**Qytetarët e Shqetësuar nga Dimri i Vështirë Energjetik, Kërkojnë Përgjegjësi nga Udhëheqja Shtetërore**
Prishtinë – Paralajmërimi i Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për një dimër të mundshëm me vështirësi në furnizimin me energji elektrike, ka ngjallur shqetësim të thellë tek qytetarët e Kosovës. Rritja e çmimeve të rrymës dhe druve për ngrohje prek veçanërisht pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilët druhen se ndërprerjet e mundshme do t’i lënë pa ngrohje në ditët më të ftohta.
Zeqir Buzaku shprehu për “Ekonomia Online” shqetësimin se shumica e familjeve tashmë ngrohen me ajër të kondicionuar (klima) dhe ndërprerjet e energjisë do t’ua vështirësonin përballimin e të ftohtit. “Me thënë të drejtën, tash ka me na shkaktuar problem shumicës. U shtrenjtuan drutë, u shtrenjtua rryma dhe filluam të nxehemi me klima. Nëse do të ndërpritet rryma, sidomos ne pleqtë, do të vuajmë nga i ftohti,” u shpreh Buzaku. Ai theksoi se ndërsa për disa me kushte më të mira energjia mund të mos jetë e shtrenjtë, për kategori të caktuara qytetarësh si ai, me një pension prej 240 eurosh dhe një faturë mujore rreth 70 eurosh, kostoja është e papërballueshme.
Buzaku kritikoi institucionet për mungesën e zgjidhjeve afatgjata, duke theksuar se puna për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike duhej të niste më herët. “Përgjegjësia gjithmonë mbetet e paqartë; ia atribuojnë njëri-tjetrit. Për t’u përmirësuar situata, është dashur të fillohej më herët, pasi këto çështje nuk zgjidhen shpejt. Është dashur të mendohej më herët, të gjendej një zgjidhje, të shtoheshin megavatët e rrymës. Por, institucionet vetëm vëzhgojnë dhe flasin për çmime,” theksoi ai, duke shtuar se përballen me këto probleme çdo vit.
Edhe Bashkim Desku, në një deklaratë për të njëjtin medium, theksoi se paralajmërimet për mungesë të energjisë elektrike, ujit dhe gjërave thelbësore shtojnë shqetësimin psikologjik tek familjet dhe pensionistët. “Për pensionistët situata është përkeqësuar shumë. Kam punuar gjithë jetën për këtë shtet,” tha ai. Desku paralajmëroi se ndërprerjet e shpeshta të rrymës mund të dëmtojnë televizorët, frigoriferët dhe pajisje të tjera elektrike me vlerë të lartë. Ai ia atribuoi përgjegjësinë për situatën prodhuesve dhe menaxherëve të energjisë, si dhe udhëheqjes së shtetit. “Ne jemi të pasur me burime energjetike, por për shkak të keqmenaxhimit tani po vuajmë për energji,” shtoi ai.
Ndërkaq, Ajvaz Abazi potencoi se furnizimi me energji elektrike është thelbësor për jetën e përditshme dhe zhvillimin ekonomik. “Sipas paralajmërimeve, do të jetë një dimër i vështirë. Të mbetesh pa energji është katastrofë për popullin, sepse rryma është një prej elementeve kryesore të jetës. Pa rrymë nuk ka jetë,” tha ai, duke theksuar se mund të shkaktohen dëme të mëdha, si prishja e ushqimit të ruajtur në frigoriferë dhe konservatorë për dimër.
Sipas Abazit, Kosova duhej të kishte investuar në ndërtimin e një termocentrali të ri, i cili do të mbulonte nevojat e vendit dhe do të mundësonte eksportin e energjisë. “Rruga më e mirë ka qenë të ndërtohet një termocentral i ri që do të prodhonte rrymë për të furnizuar Kosovën dhe për eksport. Mirëpo, këtu vlen një fjalë popullore: mungon bashkëpunimi dhe përkrahja e ndërsjellë. Nuk ka progres kur palët nuk mbështesin njëra-tjetrën për të avancuar dhe zhvilluar ekonominë e të gjitha fushat e jetës,” përfundoi Abazi.
Këto shqetësime vijnë pas deklaratave të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, disa ditë më parë, e cila paralajmëroi një dimër të vështirë energjetik. Ajo theksoi se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur rreth 500 euro për megavat-orë që në ditët e para të nëntorit. Rizvanolli gjithashtu shtoi se Kosova po përballet me sfida, sidomos për shkak të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit që nga 6 prilli për shkak të investimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.
