**Vitia: Hetimi për farmacistët nisi muaj më parë dhe nuk përfundon këtu**
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi në Kuvendin e Kosovës se hetimi lidhur me problemet në furnizimin me barna ka nisur disa muaj më parë dhe se ky proces nuk ka përfunduar me suspendimin e katër farmacistëve.
Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e barnave dhe masave të ndërmarra ndaj stafit farmaceutik, Vitia shpjegoi se informimi i publikut për nisjen e hetimit ishte bërë një ditë pas fillimit të tij. Ai shtoi se suspendimet ishin realizuar pikërisht ditën kur ai po raportonte në Kuvend, në kuadër të një interpelance.
Ministri theksoi se hetimet do të vazhdojnë dhe se deri më tani janë marrë masa ndaj farmacistëve për çështjet e evidentuara.
“Ky hetim ka filluar muaj më parë dhe, për informimin tuaj, publik është bërë një ditë pas, por suspendimi ka ndodhur në ditën kur është mbajtur seanca, kur kam qenë në interpelancë. Ky hetim nuk mbaron këtu. Do të thotë, ka filluar dhe për atë që është evidentuar te farmacistët janë marrë masa, ndërsa hetimi po vazhdon”, theksoi Vitia.
