**Hykmete Bajrami: Vendimi i Kuvendit legalizon reduktimet, s’zgjidh krizën energjetike**

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka theksuar se vendimi i fundit i Kuvendit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë jo vetëm që legalizon reduktimet e energjisë elektrike, por nuk ofron asnjë zgjidhje për krizën energjetike.

Ajo shpjegoi se pas mesnatës së mbrëmshme, Lëvizja Vetëvendosje votoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës pro vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, e cila, sipas saj, është domethënia e masave emergjente.

“Të nderuar qytetarë, ju që po përballeni me reduktime, tani, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim,” shkroi Bajrami.

Sipas Bajramit, ky vendim nuk synon përmirësimin e furnizimit me energji. “Ky vendim mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po shkaktohen nga ndërprerjet e energjisë elektrike,” deklaroi ajo.

Deputetja shtoi se vendimi detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por vuri në dyshim efikasitetin e kësaj mase, duke theksuar se kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 megavat (MW). “Tani mendojeni vetë sa mund të përmirësohet gjendja me 30 MW,” tha ajo.

Bajrami renditi arsyet kryesore pse, sipas saj, është marrë ky vendim:
* Për të justifikuar reduktimet e energjisë.
* Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik.
* Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit.

Ajo rikujtoi se masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021, duke kritikuar faktin se, siç theksoi ajo, “gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente.”

Bajrami theksoi dështimet aktuale në sektorin e energjisë:
* Mungojnë kontratat afatgjata për blerje të energjisë.
* Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë.
* Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet.
* Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.

“Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruese. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës nuk do t’i përballojnë faturat e energjisë,” përfundoi Bajrami në reagimin e saj.