Bajrami: Vendimi për gjendjen emergjente në energjetikë nuk zgjidh krizën, por justifikon reduktimet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë pas miratimit të masave emergjente në sektorin energjetik nga Kuvendi i Kosovës. Ajo theksoi menaxhimin e dobët të krizës energjetike nga ekzekutivi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami shpjegoi se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në energjetikë, për 60 ditë, u lejon institucioneve të ndërpresin furnizimin me energji elektrike pa u paditur për dëmet që mund të shkaktohen nga reduktimet.

Ky vendim, sipas saj, jo vetëm që nuk garanton përmirësim të furnizimit, por krijon mbrojtje për KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë e qytetarëve.

Deputetja Bajrami theksoi edhe obligimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për të prodhuar energji për Shërbimin Universal. Megjithatë, ajo vlerësoi se kapaciteti i saj prej rreth 30 MW nuk mund të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e situatës energjetike.

Bajrami shtoi se masat emergjente mundësojnë blerjen e energjisë elektrike dhe kontraktimin e kompanive për investime e riparime në KEK, duke anashkaluar procedurat normale të prokurimit publik.

Ajo rikujtoi se masat emergjente në energjetikë ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Po ashtu, kritikoi Qeverinë për mungesën e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimet në riparimet e KEK-ut, moszbatimin e Strategjisë së Energjisë dhe mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese.

Zgjidhja afatgjatë e krizës energjetike, sipas Bajramit, është ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese. Ajo paralajmëroi se pa investime të tilla, kriza mund të thellohet dhe faturat e energjisë do të bëhen barrë e papërballueshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës.