Prokuroria e Vlorës ka vënë në sekuestro pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’. Dyshohet se këto prona janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar, këto pasuri i përkisnin shtetasit P.P., i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Hetimet për sipërfaqen prej 32 mijë metrash katrorë zbuluan se gjatë procedurave gjyqësore dhe administrative për njohjen dhe kthimin e pronës, ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas regjistrimit të pronës në vitin 2009, u kryen veprime për ndarjen dhe tjetërsimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të aseteve.
Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata vendosi konfiskimin e pronës fillestare dhe të disa pasurive të tjera që rrjedhin prej saj. Të gjitha këto pasuri tashmë kalojnë në pronësi të shtetit.
