**Dëmet nga erërat e forta pezullojnë mësimin në gjimnazin e Ferizajt**

Procesi mësimor në Gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj është pezulluar sot, për shkak të dëmeve të shkaktuara në objektin e shkollës nga erërat e forta gjatë natës së kaluar.

Drejtoria e gjimnazit e bëri të ditur këtë vendim përmes një njoftimi zyrtar, duke informuar nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit se më 20 nëntor nuk do të zhvillohet procesi mësimor.

Në të njëjtin njoftim, drejtuesit e shkollës kanë bërë thirrje që askush të mos hyjë në oborrin e saj, për shkak të rrezikut të mundshëm që paraqesin dëmet.

Sipas njoftimit, procesi mësimor pritet të rifillojë të hënën, më 23 nëntor, sipas orarit të rregullt.