Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit S. K., i cili dyshohet se ka sulmuar dy persona zyrtarë. Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit, e cila e akuzon S. K. për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas të dhënave të prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 14:00, në rrugën “Martirët e Gjilanit” në Gjilan. Viktimat, Zh. S. dhe R. J., të cilët punojnë si shpërndarës në Gjykatën Themelore në Gjilan, po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ata ishin ndalur në lagjen “Zabeli” për të gjetur një adresë dhe një person me emrin L. K. Gjatë kësaj, njëri prej tyre e pyeti S. K. nga vetura nëse e njihte personin në fjalë.
Gjykata detajon se “në atë moment, i pandehuri iu afrua derës së makinës dhe filloi ta godiste me grushte Zh. S., duke e kapur për bluzë. Kur R. J. doli nga automjeti për të ndërhyrë, S. K. e goditi edhe atë me grusht në kokë dhe më pas u largua.” Si pasojë e sulmit, Zh. S. pësoi lëndime të lehta trupore dhe kërkoi ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
Për shkak të këtyre veprimeve, S. K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm vlerësoi se ekzistonin baza të forta ligjore për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për mbarëvajtjen e suksesshme të procedurës penale.
