Ministrja Pacolli njofton për vazhdimin e rrënimit të objekteve pa leje rreth Liqenit të Ujmanit
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se po vazhdon aksioni për rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonat ujore të liqeneve akumuluese.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ministrja Pacolli theksoi se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, konkretisht katër veranda dhe dy shtëpi.
Kjo fazë e aksionit vjen pas përfundimit të rrënimeve të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës rreth Liqenit të Radoniqit. Ministrja paralajmëroi gjithashtu se pas Ujmanit, aksioni do të vazhdojë edhe në liqenet e Batllavës dhe Badovcit.
Në fund të njoftimit të saj, Pacolli theksoi rëndësinë e mbrojtjes së liqeneve dhe burimeve ujore, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të përbashkët. Ajo deklaroi prerazi se nuk do të lejohen ndërtime që cenojnë pasuritë natyrore të vendit dhe se asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat rreth liqeneve nuk do të tolerohet. “Ligji do të zbatohet pa përjashtim,” përfundoi ajo.
