Jose Mourinho është larguar i nervozuar nga konferenca për shtyp e Real Madridit, në prag të ndeshjes së ardhshme kundër Celta Vigos, pas një sërë pyetjesh që kishin të bënin me të ardhmen e klubit dhe ish-yjet e tij.

Pas një fillimi të vështirë në stolin e Real Madridit, Jose Mourinho ka arritur ta përmbysë situatën, duke regjistruar tetë fitore radhazi, përfshirë triumfin në “El Clasico” dhe pikët e rëndësishme në Ligën e Kampionëve ndaj Leipzigut dhe AEK Athinës.

Megjithatë, forma e mirë e madrilenëve nuk ishte tema kryesore e diskutimit në konferencë.

Ndërprerja e papritur e garave për shkak të ndeshjeve të kombëtareve bëri që vëmendja të zhvendosej te zhvillimet jashtë fushës dhe çështjet që lidhen me klubin.

Njëra prej temave më të përfolura ishte transferimi i afërt i JJ Gabriel, i cili i ka dhënë lamtumirën Manchester Unitedit.

“Manchester United i dashur, erdha në vitin 2020 si një djalosh 10-vjeçar me ëndrra të mëdha”, shkroi adoleshenti.

“Më dhatë momente që do t’i ruaj gjithmonë në kujtesë. Për çdo trajner, çdo anëtar të stafit, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë ata që më mbështetën, ju falënderoj që besuat tek unë dhe më ndihmuat të rritem”.

Megjithatë, Mourinho i ndërpreu diskutimet për ardhjen e mundshme të Gabrielit, pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme nga gazetarët spanjollë, duke dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Unë kam një lidhje me lojtarët e mi. Kam një lidhje me lojtarët me të cilët punoj”, u përgjigj shkurt trajneri portugez.

“Çdo ditë kam një lidhje me lojtarët që i kam në dispozicion. Nuk kam lidhje me lojtarët që nuk punojnë me mua”.

Megjithatë, pyetjet e tjera që nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me ndeshjen bënë që Mourinho ta përfundonte konferencën dhe të largohej nga salla, duke refuzuar të përgjigjej më tej.

Pasi kishte shmangur disa herë pyetjet për JJ Gabrielin, mediat spanjolle ndryshuan temë, duke e pyetur për Cristiano Ronaldon dhe pensionimin e tij nga Kombëtarja e Portugalisë.

Por Mourinho nuk ishte i interesuar të përgjigjej dhe vendosi ta mbyllte menjëherë konferencën.

“Jo, jo, jo, jo, jo”, tha ai.

“Si portugez, e vetmja gjë që do të them është se dua që Portugalia të vazhdojë të fitojë. Për pjesën tjetër, unë i laj duart dhe nuk flas. Faleminderit”.

Pensionimi i Ronaldos nga Kombëtarja portugeze është shoqëruar me polemika, të cilat u shtuan edhe më shumë pas deklaratave të fundit të nënës së tij, e cila kritikoi hapur përfaqësuesen dhe tha se ishte e lumtur për humbjen e Portugalisë ndaj Danimarkës në ndeshjen e parë pa të birin.

“Humbja ishte plotësisht e merituar dhe unë isha e lumtur për këtë”, deklaroi ajo.

“Homazhi është dashur t’i bëhej në praninë e tij”.

“Është këtu, te Sporting, që do t’ia bëjmë homazhin. Këtu ia njohin vlerën”.

“Me Kombëtaren, ai nuk është respektuar, madje as nga bashkëlojtarët e tij”.

Ndërkohë, skuadra e Mourinhos synon të barazohet me Barcelonën në krye të tabelës, ku aktualisht ndodhet tri pikë prapa liderit./GazetaExpress/