**Jakup Krasniqi në shtëpinë e tij në Velani, dita e katërt e vizitës**
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mbërritur sërish në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Kjo shënon ditën e katërt të vizitës së tij familjare në Kosovë, e cila i është lejuar për arsye humanitare.
Të shtunën në mëngjes, Krasniqi është shoqëruar nga pjesëtarë të EULEX-it, ndërsa në zonën përreth banesës së tij ishte vërejtur një prani e shtuar e forcave policore.
Krasniqi u kthye në Kosovë të mërkurën. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kishin dhënë leje për këtë vizitë familjare, bazuar në arsye bindëse humanitare.
Gjatë tri ditëve të para, ai ka qëndruar disa orë në shtëpinë e tij pranë familjarëve. Në mbrëmje, është rikthyer në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku ka kaluar natën nën mbikëqyrje.
Kjo vizitë u mundësua pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
