**AKK: Kontrata Kolektive po, Por Barrën Financiare duhet ta Mbartë Niveli Qendror**

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se AKK-ja dhe kryetarët e komunave mbështesin kontratën kolektive dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve të arsimit. Megjithatë, ata kundërshtojnë ashpër që shpenzimet për zbatimin e saj të mbulohen nga buxhetet komunale, duke kërkuar që kjo barrë t’i delegohet nivelit qendror.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi theksoi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) duhet të ishte në dijeni, që në momentin e nënshkrimit të kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit, se mjetet financiare për zbatimin e saj duhet të siguroheshin nga niveli qendror, dhe jo t’u ngarkoheshin komunave.

“Që nga nënshkrimi i kontratës së parë e deri më tani, ne si asociacion jemi kundër që mjetet financiare t’u merren padrejtësisht komunave. SBASHK-u, kur e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Arsimit, besojmë se ka qenë në dijeni që ato mjete financiare duhet të sigurohen nga Ministria e Arsimit, pasi kanë qenë palë nënshkruese. Nuk mundet SBASHK-u të nënshkruajë marrëveshje me ministrinë dhe barrën financiare t’ua japë komunave,” deklaroi Ibrahimi.

Ai shtoi se kjo situatë përbën një padrejtësi të thellë ndaj komunave, të cilat ndër vite janë ngarkuar me shpenzime të konsiderueshme, përfshirë kostot e proceseve gjyqësore, përmbaruese dhe të avokatëve.

“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, pas analizës së situatës, ka vendosur t’u rekomandojë komunave që të mos e marrin barrën financiare. Deri më tani, komunave u janë marrë padrejtësisht qindra miliona euro. Kjo shifër, duke llogaritur edhe proceset gjyqësore, përmbaruese dhe të avokatëve, është rritur mbi 30%. Qindra miliona euro, më shumë se 100 milionë euro gjatë këtyre viteve të fundit, kanë shkuar për këto procese,” sqaroi ai.

Ibrahimi paralajmëroi se nëse SBASHK-u kërkon nënshkrimin e një kontrate të re kolektive, komunat nuk duhet të konsiderohen bartëse të barrës financiare. Ai theksoi se qindra projekte komunale në infrastrukturë, subvencione, mallra dhe shërbime janë ndërprerë për shkak të kontratës kolektive.

“SBASHK-u nuk duhet të llogarisë që në kontratën e re kolektive, nëse ajo nënshkruhet, barrën financiare do ta bartin komunat e Republikës së Kosovës. Ne besojmë që SBASHK-u duhet të reflektojë dhe, nëse do kontratë të re kolektive, barrën financiare duhet ta mbartë niveli qendror,” tha Ibrahimi për Ekonomia Online.

Sipas tij, zgjidhja e kësaj çështjeje është e mundur përmes përcaktimit të një linje të veçantë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ministria e Arsimit mund të propozojë një linjë të tillë, e cila më pas do të shqyrtohej dhe miratohej nga Qeveria dhe Kuvendi.

Ibrahimi sqaroi se Granti për Arsim, ndonëse propozohet nga Ministria e Arsimit dhe përfshihet në buxhetin e shtetit si grant i dedikuar për komuna, në asnjë rast nuk parashikon mbulimin e kostos së kontratës kolektive.

Ai ritheksoi se SBASHK-u duhet ta adresojë çështjen e financimit të kontratës së re kolektive te Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës, duke përjashtuar buxhetet komunale nga kjo përgjegjësi. “Nëse SBASHK-u do kontrata të reja kolektive, duhet të mendojë që barrën financiare ta mbartë Ministria e Financave apo Qeveria, dhe në asnjë moment të mos llogarisë se komunat mund ta mbulojnë këtë barrë të jashtëzakonshme financiare, e cila ka dëmtuar qindra projekte që do të shkonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve,” theksoi Ibrahimi.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së njoftoi se çështja e kontratës së re kolektive është diskutuar edhe në një takim të Kolegjiumit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku morën pjesë drejtorët komunalë të arsimit, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, dhe përfaqësues të SBASHK-ut. Në atë takim, drejtorët komunalë bënë të ditur qëndrimin e tyre pro kontratës së re kolektive, por me kusht që barrën financiare ta bartë Ministria e Arsimit dhe jo komunat. Ky është edhe qëndrimi unanim i Bordit të AKK-së.

Pak ditë më parë, AKK-ja reagoi ndaj deklaratave të përfaqësuesve të SBASHK-ut, të cilët, sipas asociacionit, po ua atribuojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror. Bordi i AKK-së ka theksuar se komunat kanë respektuar gjithmonë të drejtat e punëtorëve arsimorë, por nuk disponojnë mjete buxhetore për të mbuluar detyrimet që dalin nga këto kontrata, pasi marrëveshjet janë negociuar dhe nënshkruar në nivel qendror.