Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi, kryesuese e delegacionit, dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare e delegacionit, po merr pjesë në Sesionin e 72-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë, nga 20 deri më 23 nëntor 2026.
Ky sesion, i organizuar nga Bundestagu dhe Bundesrati gjerman, mbledh parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe parlamentet partnere për të diskutuar sfidat kryesore të sigurisë euroatlantike, forcimin e mbrojtjes kolektive, parandalimin strategjik dhe përshtatjen e Aleancës ndaj mjedisit të ri të sigurisë, shkruan IndeksOnline.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e diplomacisë parlamentare, shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe avancimin e bashkëpunimit me parlamentet e vendeve aleate dhe partnere.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës gëzon statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024. Pjesëmarrja në punimet e saj kontribuon në forcimin e dialogut parlamentar dhe të angazhimit të Kosovës në çështjet e sigurisë euroatlantike, në përputhje me orientimin e saj strategjik drejt integrimit në NATO”, thuhet në njoftim.
“Punimet e sesionit do të vijojnë me diskutimet në komisione dhe seancën plenare të 23 nëntorit, ku pritet të trajtohen prioritetet strategjike të Aleancës dhe sfidat e sigurisë ndërkombëtare. Gjatë këtyre punimeve delegacioni do të ketë edhe disa takime bilaterale”.
