**FIFPRO mbështet Musialan, kritikon ashpër Bayernin për deklaratat mbi kontratën**

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të futbollistëve, FIFPRO, ka dalë në mbrojtje të Jamal Musialas, duke kritikuar ashpër drejtuesit e Bayern Munichut. Shkak i reagimit janë bërë deklaratat e tyre të vazhdueshme publike rreth kontratës së yllit gjerman, sidomos në një kohë kur lojtari po rikuperohet nga një dëmtim.

Në një deklaratë zyrtare, FIFPRO shprehu shqetësim të thellë për komentet e përsëritura të drejtuesve të klubit bavarez. Këto deklarata, sipas organizatës, ngjallin dyshime për një strategji të koordinuar presioni mbi futbollistin dhe përfaqësuesit e tij, sidomos përpara negociatave të mundshme.

FIFPRO theksoi se një klub me famën dhe prestigjin e Bayern Munichut duhet të tregojë më shumë maturi dhe përgjegjësi. Kjo vlen veçanërisht kur bëhet fjalë për një lojtar në proces rikuperimi. Organizata rikujtoi se klubet kanë detyrimin të kujdesen për futbollistët e tyre, dhe pasiguria për të ardhmen profesionale mund të ndikojë negativisht edhe në shëndetin mendor.

Gjithashtu, FIFPRO bëri të qartë se çdo shqetësim rreth kushteve të kontratës së Musialas duhet të diskutohet privatisht me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij. Kontratat duhet të respektohen nga të dyja palët. “Një dëmtim apo një rënie në formë nuk i jep klubit asnjë të drejtë për të rishikuar kushtet e dakorduara më parë. Kontratat ekzistojnë për t’u respektuar,” theksohet në qëndrimin e organizatës.

Në fund, FIFPRO shprehu mbështetje të plotë për Musialan dhe për të gjithë futbollistët që respektojnë detyrimet e tyre kontraktuale, duke kërkuar që edhe klubet të veprojnë me të njëjtin standard. Ky reagim vjen në një moment delikat për Musialan, i cili po punon për rikthimin në fushë, ndërkohë që diskutimet publike mbi të ardhmen e tij te Bayern Munichu kanë rritur tensionet mes lojtarit dhe klubit.