**”Prishtina Parking” rikthehet me tarifa të rritura, qytetarët shprehin pakënaqësi**
Ndërmarrja “Prishtina Parking” pritet të rifillojë operimin në kryeqytet me rregulla dhe tarifa të reja, pas miratimit të Rregullores së re nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Ky rikthim, i shoqëruar me rritje çmimesh, ka ngjallur reagime negative tek qytetarët, të cilët kundërshtojnë shtrenjtimin dhe shprehin shqetësim për gjendjen e vendparkimeve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, sqaroi se rregullorja e re u hartua si pasojë e një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila kishte konstatuar se dispozita të rregullores së mëparshme binin ndesh me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.
Rregullorja e re parashikon ndryshime në organizimin, menaxhimin dhe mënyrën e pagesës së hapësirave publike të parkimit. Sipas Retkocerit, banorët rezidentë do të kenë një tarifë vjetore dhe do të lirohen nga pagesa e tarifave orare për veturën e tyre të parë. Ndërsa, për qytetarët e tjerë, do të aplikohen tarifa të diferencuara sipas zonave dhe kohës së parkimit. Ai theksoi se kërkesa fillestare e ndërmarrjes ishte për një rritje prej 100% të tarifave, por komisioni përkatës miratoi një rritje prej rreth 40%. Një tjetër risi është se “Prishtina Parking” nuk do të ketë më kompetencën për të vendosur gjoba; këtë detyrë do ta kryejnë Inspektorati dhe Policia e Kosovës, varësisht nga shkeljet.
Megjithatë, rikthimi i ndërmarrjes dhe rritja e tarifave nuk janë pritur mirë nga qytetarët. Shumë prej tyre shprehin pakënaqësi lidhur me gjendjen aktuale të vendparkimeve, mungesën e hapësirave të mjaftueshme dhe faktin se pagesat nuk shoqërohen me investime të duhura në infrastrukturë.
Raif Ibrahimi shprehet se rikthimi i “Prishtina Parking” nuk është një zgjidhje e mirë, duke theksuar gjendjen e amortizuar të parkingjeve në kryeqytet. “Mendoj se nuk është punë e mirë rikthimi i tyre, sepse ata vetëm marrin para pa bërë asnjë investim. Shikoni gjendjen e këtij parkingu këtu, gropa prej fillimit deri në fund, dëmtim i gomave të makinës. Duhet të notosh për të shkuar deri te makina, kështu që nuk mendoj se është një punë e mirë… Në bazë të kësaj që po shihet, s’ka nevojë as të rritet çmimi, as të merren para fare”, theksoi Ibrahimi.
Edhe Fidaim Konjuhi kundërshton shtrenjtimin e tarifave, duke vënë në dyshim efektivitetin e pagesës kur nuk garantohet një vendparkim. “Për shtrenjtimin që e kanë bërë, për pagesën, është shumë keq. Nuk jemi dakord asnjëri për këtë punë… E paguan parkingun dhe nuk e ke të siguruar. Sillesh gjysmë ore, një orë dhe nuk ka parking… Prishtina Parking le të mbyllet fare, çfarë na duhet? Ashtu apo kështu nuk na sigurojnë parking për makinë, pagesën po e bëjmë, atëherë s’ka nevojë fare, pse t’ia bëjmë pagesën?”, u shpreh Konjuhi.
Ndërkaq, qytetari Yll Vuthi mendon se ndërmarrja duhet të rikthehet me çmimet e mëparshme, duke argumentuar se banorët rezidentë përballen me mungesë të hapësirave për parkim në lagjet e tyre. “Sa i përket Prishtina Parkingut, mendoj se nëse kthehet prapë, duhet të kthehet me çmimet që ka qenë, jo më të shtrenjta, sepse është bërë shumë ngarkesë e madhe e veturave nëpër lagje dhe ne si banorë rezidentë nuk kemi mundësi ku të parkojmë veturën. Prandaj duhet të shikohet të bëhet një zgjidhje sa më e mirë, që ne si banorë rezidentë, edhe kur shkojmë në ndonjë lagje tjetër, të paguajmë me një çmim më të arsyeshëm”, përfundoi Vuthi.
KosovaPress ka kontaktuar ndërmarrjen “Prishtina Parking”, nga e cila bëri të ditur se rregullorja është miratuar në Kuvendin Komunal, por është ende në pritje të miratimit nga ministria kompetente.
