Mbyllet me sukses “European Defense Tech Hackathon”, i mbajtur për herë të parë në Kosovë
**Prishtinë, 24 maj 2024** – Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur përmbylljen e suksesshme të garës ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”, pas tre ditësh aktivitetesh intensive.
Përmes një postimi në platformën Facebook, Maqedonci theksoi se ky event i rëndësishëm u mbajt për herë të parë në Kosovë. Ai shpalosi se gara u zhvillua nën patronatin e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëorganizim me Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).
Në ceremoninë përmbyllëse, ministri shprehu falënderime për të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët. “Pata kënaqësinë t’i falënderoj të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët për punën dhe angazhimin e tyre gjatë këtyre tri ditëve”, citohet të ketë thënë ai.
Maqedonci theksoi rëndësinë e ideve dhe zgjidhjeve të prezantuara, si dhe potencialin e të rinjve në fushën e mbrojtjes. “Në fund, ndamë edhe çmimet për tre ekipet fituese, por për mua secili ekip që mori pjesë ishte fitues. Ishte kënaqësi të shihja nga afër idetë dhe zgjidhjet që u prezantuan, si dhe potencialin që kanë të rinjtë për të kontribuar në zhvillimin e teknologjisë në fushën e mbrojtjes”, ka përfunduar Maqedonci.
