**Paolo Bulgari, argjendari i Princeshës Diana dhe yjeve të Hollywoodit, ndërron jetë në moshën 89-vjeçare**

Paolo Bulgari, kryetar i njohur i kompanisë italiane të bizhuterive luksoze Bvlgari dhe nipi i themeluesit të saj, ka ndërruar jetë në Romë, në moshën 89-vjeçare.

“Argjendari më i madh i kohës sonë është larguar nga kjo jetë”, thuhet në deklaratën e familjes së tij, të publikuar nga gazeta italiane Il Sole 24 Ore.

Familjarët e përshkruan atë si një figurë të jashtëzakonshme, i cili e donte Italinë dhe shërbeu si ambasador i saj në mbarë botën.

Paolo Bulgari ishte nipi i themeluesit të kompanisë, Sotirios Voulgaris, i cili hodhi themelet e shtëpisë së bizhuterive në Romë në vitin 1884.

Ai mori drejtimin e grupit Bvlgari si kryetar në vitin 1984, duke mbikëqyrur zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë dhe shndërrimin e saj në një prej emrave më prestigjiozë të industrisë globale të luksit.

Bvlgari u bë veçanërisht e njohur për krijimet e saj, të cilat u preferuan nga yjet e Hollywoodit dhe personalitetet e familjeve mbretërore, duke përfshirë Princeshën Diana.

Kompania, e themeluar në kryeqytetin italian, u shndërrua në simbol të elegancës dhe luksit italian, duke zgjeruar aktivitetin e saj edhe në orë, parfume dhe produkte të tjera luksoze.