**Joseph kërkon rifillimin e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi, me fokus te personat e zhdukur**
Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka sugjeruar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë sa më shpejt, duke trajtuar fillimisht çështjen e personave të zhdukur. Në një intervistë për median serbe “Radar”, ai theksoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë plotësisht detyrimet kushtetuese ndaj komunitetit serb. Kjo, sipas tij, do të siguronte që ata të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të kenë një perspektivë të qartë në Kosovë.
Lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Joseph vlerësoi se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për këtë proces. Ai shtoi se kthimi i serbëve të larguar nga Kosova është i mundur.
Profesori kërkoi rifillimin urgjent të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se trajtimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës duhet të jetë prioritet. Sipas Joseph, përparimi në këtë çështje humanitare dhe arritja e rezultateve konkrete për familjet e viktimave, mund të përmirësojë atmosferën politike dhe të krijojë kushte për zhvillim edhe në çështjen e Asociacionit.
