**Paraburgim njëmujor për dhunë në familje dhe plagosje me thikë të axhës së bashkëshortes**
**Gjakovë** – Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit F.K., i cili dyshohet për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarjet dyshohet se kanë nisur më 18 nëntor 2026. Pas mosmarrëveshjeve me të pandehurin, bashkëshortja e tij, F.K., kishte shkuar te familja e saj. Po atë ditë, ajo kishte marrë një mesazh zanor nga F.K., ku ai e kërcënonte me fjalët: “O ku je, o do të të vras, po ku je”.
Më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Gjakovës, F.K. kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja e tij. Duke bërtitur, ai i kishte kërkuar asaj të dilte dhe të hipte në veturë, gjoja për të biseduar, megjithëse ajo kishte frikë për jetën e saj. Këto veprime dyshohet se përbëjnë dhunë fizike dhe psikologjike, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.
Në të njëjtën datë, i pandehuri dyshohet se ka sulmuar me thikë axhën e bashkëshortes së tij, F.Gj. Pasi ky i fundit kishte dalë për të biseduar, F.K. e kishte sulmuar menjëherë me thikë në fytyrë. Kur viktima kishte ngritur dorën për t’u mbrojtur, F.K. e kishte goditur edhe në dorën e majtë, duke ia prerë gishtin e katërt. Këto lëndime, të cilësuara si të lehta trupore, janë përshkruar në raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Me këtë vendim, F.K. do të mbahet në paraburgim për një muaj, duke nisur nga data e arrestimit, 21 nëntor 2026, deri më 21 dhjetor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
