**Ish-shefi i kabinetit të Kurtit merr pozitë kyçe, Qeveria miraton disa vendime të tjera**
Luan Dalipi, ish-shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, është emëruar drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Eksporte. Ky vendim u mor sot pasdite, gjatë mbledhjes së 13-të elektronike të Qeverisë së Kosovës, siç raporton IndeksOnline.
Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi edhe disa vendime të tjera të rëndësishme. Mes tyre, u miratua kërkesa e Doganës së Kosovës për dhënien me qira të hapësirave dhe zyrave në Terminalin Doganor në Hani të Elezit, për një periudhë prej 36 muajsh.
Gjithashtu, u miratua Raporti për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Qeveria miratoi në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila synon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Ndër vendimet e tjera ishte edhe miratimi i kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shitjen e automjeteve zyrtare të papërdorshme dhe jashtë funksionit.
