Erlind Ibra largohet nga Policia e Kosovës pas shtatë vjetësh shërbim, thekson “mungesë vlerësimi”

Erlind Xhevat Ibra, djali i ish-zëvendëskomandantit dhe ish-zëdhënësit të Policisë së Kosovës në Pejë, Xhevat Ibra, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij në Policinë e Kosovës, pas një periudhe shtatëvjeçare shërbimi. Ky vendim, siç bën të ditur vetë Ibra në letrën e tij të dorëheqjes, është marrë për arsye personale dhe familjare, por edhe për shkak të ndjenjës së mungesës së vlerësimit për kontributin dhe përkushtimin e tij ndër vite.

Në letrën e tij, Ibra shpjegon se vendimi nuk ishte i lehtë, duke pasur parasysh kohën, përkushtimin dhe energjinë e investuar në kryerjen e detyrave. Ai shpreh pakënaqësinë e tij për mënyrën se si është trajtuar angazhimi i tij profesional, duke u ndjerë i pavlerësuar dhe i zhgënjyer në disa raste. Ibra ka theksuar se është përballur me situata dhe sjellje nga persona të caktuar, të cilat i kishin krijuar ndjenjën se po tentohej ta nënvlerësonin profesionalisht dhe të zhvlerësonin kontributin e tij. Ai beson se çdo punonjës meriton respekt, dinjitet dhe vlerësim për punën e tij.

Pavarësisht kësaj, Erlind Ibra thekson se shtatë vitet e shërbimit do të mbeten një pjesë e rëndësishme e përvojës së tij. Në fund të letrës, ai ka falënderuar të gjithë kolegët, familjarët dhe qytetarët që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij policore, duke e përmbyllur me fjalët: “Mirë u pafshim Kosova ime e dashur!”.