**Irani: Këngëtarja dënohet me 74 goditje kamxhiku për performancë pa hixhab**
Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi u dënua me 74 goditje kamxhiku dhe ky dënim u ekzekutua të hënën, për shkak të një performance gjatë së cilës ajo u shfaq pa hixhabin e detyrueshëm. Ngjarja tronditëse vjen si një tjetër shembull i presionit në rritje ndaj artistëve femra në Iran.
Sipas avokatit të saj, Mostafa Nili, i cituar nga organizata Iran Human Rights (IHRNGO) dhe i raportuar nga CNN, katër anëtarë të tjerë të ekipit të saj të koncertit u dënuan gjithashtu me nga 74 goditje me kamxhik. IHRNGO njoftoi mbi këtë zhvillim në platformën X, duke cituar avokatin Nili.
Dënimet u ekzekutuan në Njësinë e Zbatimit të Dënimeve pranë Prokurorisë së Qomit, ndaj Ahmadit, organizatorit të koncertit Mohsen Lashkari dhe muzikantëve Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri e Amir-Ali Pirnia.
Ky rast pasoi publikimin online të “Koncertit Karavanserai” të Ahmadit, i filmuar në dhjetor të vitit 2024 në karavanserain historik Deir-e Gachin, pranë Qomit. Ky i fundit është një qytet i shenjtë shiit, i njohur si shtëpi e shumë medreseve islame dhe bastion i konservatorizmit fetar. (Termi persisht *karavanserai* i referohet bujtinave të lashta të fortifikuara, të përdorura nga udhëtarët dhe tregtarët si vende ndalese.)
Një video e performancës, e cila u realizua pa praninë e publikut, shfaqte Ahmadim duke kënduar krahas muzikantëve meshkuj. Ajo kishte veshur një fustan të gjatë të zi, pa mëngë, dhe i kishte flokët të zbuluara, në kundërshtim të hapur me rregullat e Iranit për hixhabin e detyrueshëm.
Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i IHRNGO-s, i deklaroi CNN-it se veshja e Ahmadit ishte një faktor kyç në dënimin e saj, por shtoi se ndjekja penale lidhej edhe me faktin se ajo kishte kënduar publikisht dhe, në një kuptim më të gjerë, kishte sfiduar autoritetet iraniane.
Menjëherë pas publikimit të videos, agjencia e lajmeve Mizan, e lidhur me sistemin gjyqësor iranian, njoftoi se autoritetet kishin hapur një çështje kundër Ahmadit dhe anëtarëve të ekipit të produksionit për atë që e përshkroi si një “koncert të paligjshëm”. Sipas saj, performanca nuk ishte në përputhje me “standardet ligjore dhe fetare” të vendit.
Një gjykatë i shpalli pesë personat fajtorë për “cenim të moralit publik” përmes prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjeve online, të cilat i cilësoi si vulgare dhe imorale. Përveç dënimit me kamxhik, atyre iu ndalua për dy vjet ushtrimi i veprimtarive artistike dhe muzikore, si dhe udhëtimi jashtë vendit. Një gjykatë apelit e la në fuqi vendimin në shtator.
Amnesty International e ka cilësuar goditjen me kamxhik si një dënim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues. Në një raport të vitit të kaluar, organizata për të drejtat e njeriut akuzoi autoritetet iraniane se po përdorin gjithnjë e më shumë ndalimet arbitrare, ndjekjet penale dhe goditjet me kamxhik kundër këngëtarëve, gazetarëve dhe aktivisteve për të drejtat e grave, të cilat kundërshtojnë mbulesën e detyrueshme të kokës.
Ky dënim vjen në një kohë kur presioni ndaj artisteve femra në Iran vazhdon të intensifikohet. Këngëtarja Hiva Seyfizadeh, për shembull, u dënua nga një gjykatë e shkallës së parë me katër vjet burg për “nxitje të korrupsionit dhe prostitucionit”, pasi interpretoi muzikë tradicionale iraniane në Teheran në shkurt të vitit 2025.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale në gusht, Seyfizadeh deklaroi se kishte kënduar vetëm disa vargje të poetit të njohur pers të shekullit XIII, Saadi Shirazi, dhe vuri në pikëpyetje se si performanca mund të përbënte nxitje të korrupsionit apo prostitucionit. Ajo theksoi se synon të apelojë vendimin.
Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar menjëherë mbi raportimet për ekzekutimin e dënimeve me kamxhik.
