**Aksion masiv në Bosnje e Hercegovinë: Naser Oriq dhe ish-deputetja Nikolina Šljivić mes të arrestuarve**
Naser Oriq është arrestuar të martën në mëngjes në zonën e Olovës, Bosnje e Hercegovinë. Ky arrestim vjen në kuadër të një aksioni të gjerë policor kundër personave të dyshuar për ndihmë në fshehjen e të arratisurit Gjorgje Zdrale.
Në të njëjtin operacion, në Sarajevën Lindore, është arrestuar edhe Nikolina Šljivić, ish-deputete e Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska. Mes të arrestuarve është gjithashtu edhe Mesud Mustafic.
Aksioni, i cili nisi në orët e para të mëngjesit, po zhvillohet në disa lokacione në Bosnje e Hercegovinë. Operacioni po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska (MUP RS) dhe Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), me asistencën e agjencive të tjera policore.
Aksioni po kryhet me urdhër të Prokurorisë Publike të Republikës Srpska dhe në bazë të një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Banja Luka.
Sipas raportimeve të mediumit boshnjak “Klix.ba”, që nga mëngjesi janë bastisur shtëpitë dhe objektet e tjera që përdor Oriq.
Hetimet kanë përfshirë edhe Mesud Mustaficin nga Vogošca, për të cilin hetuesit dyshojnë se, ndoshta pa qenë në dijeni, ka ndihmuar në transportimin e Zdrales nga Sarajeva drejt Kantonit të Tuzlës.
Đorđe Ždrale dyshohet se më 2 gusht, në Sarajevën Lindore, ka tentuar të vrasë Kostа Pandurevicin dhe që prej asaj kohe ndodhet në arrati. Sipas informacioneve të deritanishme, Ždrale nuk është gjetur gjatë aksionit të së martës.
