Përfaqësuesja studentore serbe: Serbia dëshiron miqësi me të gjitha shtetet, nuk duam të krijojmë armiq

Përfaqësuesja studentore serbe, Sara el Sarag, ka folur për integrimin evropian të Serbisë, prioritetet e politikës së jashtme, marrëdhëniet me Rusinë dhe çështjen e Kosovës. Këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për emisionin mëngjesor “Europe Today” të Euronews.

Intervista u zhvillua në ditën kur mbahej samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku pritej të merrte pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiç. Megjithatë, ai njoftoi Komisionin Evropian se nuk do të ishte i pranishëm, siç raporton Euronews dhe transmeton IndeksOnline.

E pyetur se si Serbia mund ta bindë Brukselin për angazhimin e saj ndaj integrimit evropian, kur udhëheqja e re mungoi në një takim kaq të rëndësishëm, El Sarag tha se prioritet aktual është finalizimi i seancës konstituive të Kuvendit.

“Sepse sot duhet ta përfundojmë seancën konstituive dhe ky është prioriteti ynë për momentin. Shpresoj që ajo të përfundojë sot dhe ftesa për samitin të përsëritet. Nuk është asgjë personale. Fillimisht duhet t’i kryejmë këto detyra,” deklaroi ajo, duke shprehur keqardhje për mungesën e Çupiçit.

Sipas shpjegimit të dhënë në intervistë, arsyeja lidhet me rrethanat institucionale, pasi Çupiç është aktualisht i vetmi zyrtar i administratës së re që mban njëkohësisht funksionet e kryetarit të Kuvendit dhe ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës.

Duke folur për perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe nëse Brukseli është vërtet i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj, apo nëse zgjerimi po mbetet thjesht një slogan politik, El Sarag tha se në Serbi tashmë kanë ndodhur ndryshime politike, porse nevojitet kohë për të dëshmuar drejtimin e udhëheqjes së re.

“Besoj se kemi ndryshuar diçka, kemi ndryshuar mënyrën e të menduarit të njerëzve në Serbi, gjë që përbën një risi në skenën politike. Mendoj se na duhet pak kohë për të dëshmuar drejtimin në të cilin po shkojmë,” u shpreh ajo.

Megjithatë, pyetje lindën kur ajo u pyet për orientimin e ardhshëm të politikës së jashtme të Serbisë dhe nëse vendi do të përafrojë qëndrimet me Bashkimin Evropian, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, apo do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie me Brukselin dhe Moskën.

El Sarag kundërshtoi mënyrën e formulimit të pyetjes, duke theksuar se Serbia nuk dëshiron të krijojë armiq me asnjë shtet.

“Mendoj se kjo pyetje nuk është e drejtë, sepse ne nuk dëshirojmë të krijojmë armiq. Dëshirojmë të jemi miq me të gjitha shtetet, natyrisht, nëse është e mundur,” tha ajo.

E pyetur se si Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet me Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin, të cilin BE-ja e konsideron kërcënim të madh për sigurinë evropiane, përfaqësuesja studentore serbe vuri në pikëpyetje nëse integrimi evropian duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht zgjedhjen e njërës palë kundër tjetrës.

“Si juriste, sinqerisht nuk e kuptoj pse duhet të jemi armiq me dikë nëse po i bashkohemi Bashkimit Evropian. Pse duhet të mbajmë anën e dikujt?” deklaroi El Sarag.