**Arrestohet Dragan Vuçiçeviq, pronari i “Informer”, dyshohet për shkaktim paniku dhe pengim të drejtësisë**

Dragan Vuçiçeviq, pronari i televizionit serb “Informer”, është arrestuar sot dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit. Ai dyshohet për shkaktim paniku dhe trazirash, si dhe për pengim të drejtësisë.

Ndalimi i Vuçiçeviqit është vendosur me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, raporton N1. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nëpërmjet Stacionit Policor të Vozhdovacit, ka vepruar mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se Vuçiçeviq ka kryer veprat penale të shkaktimit të panikut dhe trazirave në vazhdimësi (sipas nenit 343, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 dhe nenin 61 të Kodit Penal), si dhe të pengimit të drejtësisë.

Prokuroria njoftoi se i dyshuari Dragan J. Vuçiçeviq, së bashku me kallëzimin penal, do të dërgohet për t’u marrë në pyetje nga prokurori publik i Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, më 26 nëntor.

Portali Nova.rs bën të ditur se Vuçiçeviq u arrestua pranë vendit të tij të punës, rreth 50 metra larg ndërtesës ku ndodhet redaksia e “Informer”. Ai u shoqërua më pas me automjet policie në Stacionin Policor të Vozhdovacit.

Lajmin për arrestimin e tij e bëri të ditur edhe në Kuvendin e Serbisë, kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia Fiton”, presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi: “Para pak çastesh është arrestuar edhe pronari i televizionit Informer, Dragan J. Vuçiçeviq.” Ky njoftim u shoqërua me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare, reagim ky që shkaktoi pakënaqësi te presidenti Vuçiq.