**Hoxhaj: Kosova me Strategji Shtetërore për Mbrojtjen e Ish-Krerëve të UÇK-së në Hagë**

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur miratimin e një strategjie shtetërore që synon mbrojtjen e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Ne kemi miratuar këtë strategji, e cila konsolidon një politikë shtetërore për mbrojtjen e personaliteteve të larta të shtetit që po gjykohen në Hagë. Ajo përmban disa elemente thelbësore, për të cilat do të flasim më gjerësisht në një të ardhme të afërt,” deklaroi Hoxhaj.

I pyetur për përmbajtjen e strategjisë, deputeti Hoxhaj theksoi se ajo do të mbrojë parimet themelore të historisë sonë: pavarësinë dhe luftën për liri.

“Ajo çka mund të ndajmë si parime themelore të kësaj strategjie, është premisa se liria e Kosovës nuk është krim. Pavarësia jonë nuk është një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ne do të angazhohemi në një betejë të fuqishme politike e diplomatike, duke përdorur të gjitha mjetet politike dhe përfaqësuese, si dhe duke respektuar plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, kudo që kjo të jetë e mundur,” shtoi ai.

Kjo strategji vjen në një kohë kyçe, pasi nesër, më 27 nëntor, është afati i fundit për apelimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.