**Superliga e Kosovës: Xhiroja e 15-të sjell përballje intensive gjatë tre ditëve**

Superliga e futbollit të Kosovës do të zhvillojë xhiron e 15-të, e cila do të shtrihet në tre ditë. Për shkak të festës së 28 Nëntorit, të shtunën nuk do të ketë ndeshje futbolli. Përballjet do të zhvillohen të premten, të dielën dhe të hënën.

Xhiroja do të hapet me një përballje tejet interesante. Llapi, që vjen pas dy fitoreve radhazi, do të vizitojë Malishevën, e cila ka shfaqur një formë të fortë edhe në këtë sezon. Në këtë duel, Malisheva e drejtuar nga Kastriot Rexha do të synojë të mbajë pikët në shtëpi për të ruajtur hapin me lideren Prishtina. Ndërkohë, skuadra e Tahir Batatinës synon një tjetër fitore për të konsoliduar pozicionin në tabelë.

Dy ndeshje të tjera do të luhen të dielën. Vëmendja kryesore pa dyshim do të jetë te derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës, një përballje mes dy skuadrave me ambicie të larta këtë sezon.

Ndërkohë, në duelin tjetër të së dielës, Feronikeli 74 do të presë lideren Prishtina. Skuadra nga Drenasi ka rimarrë veten në javët e fundit dhe pritet të jetë një kundërshtar i fortë për Bardhekaltrit, të cilët pa dyshim do të kërkojnë tri pikë në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Dita e hënë do të mbyllë këtë xhiro me dy ndeshjet e fundit. Një tjetër takim interesant do të jetë ai mes Dukagjinit dhe Ballkanit, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë të nxjerrin një rezultat pozitiv. Xhiroja do të mbyllet me përballjen mes Drenicës dhe Vushtrrisë, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë në ligë.