Koreja e Veriut ka pezulluar përkohësisht ndihmat ushtarake për Rusinë, pas tensioneve diplomatike, sipas Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (GUR).
Agjencia bëri të ditur të enjten se Pheniani ka ndërprerë përkohësisht një pjesë të bashkëpunimit ushtarak me Moskën, përfshirë furnizimet me raketa balistike KN-23. Ky vendim vjen si pasojë e tensioneve diplomatike mes dy aleatëve.
Sipas GUR-it, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, kishte njoftuar këtë pezullim të përkohshëm të bashkëpunimit muajin e kaluar. Kjo ishte një përgjigje ndaj deklaratës së një zëvendësministri të Jashtëm rus, i cili kishte lënë të kuptohej se Kremlini do të ndihmonte në uljen e tensioneve mes Seulit dhe Phenianit.
Një hetim i agjencisë Reuters zbulon se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë që nga viti 2023 dhe me trupa ushtarake që nga viti 2024. Midis tyre ka pasur edhe ushtarë që kanë luftuar kundër forcave ukrainase, veçanërisht pas inkursionit të Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.
Ekspertët theksojnë se mbështetja ushtarake për Rusinë përbën një burim të rrallë të valutës së huaj për Korenë e Veriut, një vend që ndodhet nën sanksione të gjera ndërkombëtare.
GUR raportoi se Choe i kishte kërkuar Rusisë të qartësonte politikën e saj ndaj Koresë së Jugut dhe kishte paralajmëruar për një ndërprerje të përkohshme të bashkëpunimit ushtarak. Kjo përfshinte ndalimin e fluturimeve të avionëve ushtarakë rusë mbi territorin e Koresë së Veriut, si dhe pezullimin e dërgesave të predhave të artilerisë dhe raketave balistike KN-23 drejt Rusisë.
Agjencia Reuters njoftoi se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e këtij raporti.
GUR nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve rreth vendit dhe kohës ku ishin bërë deklaratat që i atribuohen ministres Choe dhe zëvendësministrit të Jashtëm rus, Andrey Rudenko.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe ambasadat e Koresë së Veriut në Rusi, Londër dhe Nju-Jork, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në deklaratat e tij të bëra muajin e kaluar, Rudenko, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet me vendet aziatike, kishte thënë se Moska kishte marrë sinjale nga Seuli për dëshirën e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Rusinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, si dhe se të dyja palët po diskutonin rifillimin e fluturimeve të drejtpërdrejta.
