Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë kanë reaguar lidhur me kushtet në objektin e tyre të paraburgimit, pas ankesave të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, për cilësinë e ushqimit që shërbehet atje.
Gjykata Speciale thekson se “të gjitha kushtet përmbushin ose tejkalojnë standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullorja Evropiane e Burgimit”.
Sipas Dhomave të Specializuara, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, me ushqim “të shumëllojshëm, të përgatitur mirë dhe me cilësi e sasi të kënaqshme, në përputhje me standardet ushqimore”.
Përveç kësaj, Gjykata bën të ditur se të paraburgosurit që dëshirojnë ta përgatisin vetë ushqimin e tyre, mund të përdorin pajisjet dhe mjediset e disponueshme për gatim. Ata gjithashtu kanë mundësinë të blejnë, me shpenzimet e tyre, artikuj ushqimorë nga një furnizues i jashtëm.
Në kontrast me këtë sqarim, Isni Kilaj, i cili ka qëndruar në paraburgim në Hagë si i akuzuar për ndërhyrje në drejtësi, kishte shprehur shqetësimin në një intervistë për RTV21. Ai kishte thënë se në Hagë shërbehen “ushqime të ngrira, që kanë qëndruar me muaj ose me vite”. Sipas tij, pasi ushqimet ngrohen në mikrovalë dhe për shkak të erëzave të përdorura, si dhe kohëzgjatjes së ruajtjes, ato bëhen “të pangrënshme”.
