**FSK hap dyert për qytetarët në Ditën e Forcës, prezantohet edhe puna e Policisë Ushtarake**
Me rastin e shënimit të Ditës së Forcës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka hapur dyert e të gjitha kazermave të saj për qytetarët, duke mundësuar njohjen e afërt me aktivitetet, kapacitetet dhe pajisjet e ushtrisë së vendit.
Që nga ora 10:00, kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë e kanë vizituar një numër i madh nxënësish, të cilët kanë pasur mundësinë të njihen drejtpërdrejt me punën dhe potencialin e FSK-së.
Në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëtarët e Policisë Ushtarake të FSK-së kanë prezantuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, duke shpjeguar rolin kyç në ruajtjen e rendit dhe disiplinës brenda Forcës. Kjo “Ditë e Hapur” shërben si një platformë për të forcuar lidhjet mes ushtrisë dhe qytetarëve, si dhe për të rritur transparencën e punës së FSK-së.
