Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi homazhe në Prekaz, te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes Jashari, në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor. Gjatë vizitës, ajo theksoi rëndësinë historike të kësaj date, duke shprehur mirënjohje të thellë për sakrificën sublime të familjes Jashari.
Haxhiu vuri në dukje se 28 Nëntori shënon njëherësh ditëlindjen e Komandantit Adem Jashari, si dhe rëndësinë e Prekazit si vendi ku flamuri kombëtar asnjëherë nuk u ul, madje as pas rënies së kullave të Jasharajve. Ajo kujtoi se ky flamur, me shqiponjën dykrenare, u ngrit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë më 1443, shënoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, dhe doli publikisht për herë të parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997, duke shënuar kështu “Nëntorin e tretë” historik.
Duke vlerësuar lart kontributin e familjes Jashari, kryetarja e Kuvendit theksoi peshën e tyre të veçantë për lirinë që Kosova gëzon sot. Ajo rikujtoi se Komandanti Adem Jashari e nisi herët angazhimin në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës dhe se as ai, e as pjesëtarët e tjerë të familjes, nuk u dorëzuan, por rezistuan me guxim. Kjo rezistencë heroike, sipas Haxhiut, ishte shtysë për rritjen e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në përmbyllje, Albulena Haxhiu u uroi të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit për një të ardhme më të mirë për kombin shqiptar, duke bërë thirrje që të mbahet lart flamuri kombëtar, simboli për të cilin shumë dëshmorë dhanë jetën.
