Komandanti i Policisë i dorëzon letër Ramës: Kryeprokurori ndalon punimet për muralin e Nënë Terezës

Komandanti i Policisë së Kosovës i ka dorëzuar një letër kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, përmes së cilës theksohet se Kryeprokurori i Shtetit ka ndaluar vazhdimin e punimeve për muralin e Nënë Terezës.

Sipas komandantit të Policisë, Kryeprokurori ka urdhëruar që vendosja e muralit të mos vazhdojë deri në marrjen e një vendimi gjyqësor, për shkak të kontestit që ekziston mes palëve të përfshira.

Në replikë, kryetari i Prishtinës i ka theksuar komandantit të Policisë se nuk bëhet fjalë për dy palë, por se i vetmi subjekt i interesuar është Komuna e Prishtinës.

Gjithashtu, Rama i ka kërkuar komandantit t’i paraqesë vendimin lidhur me kamerat e mbikëqyrjes, por ky i fundit ka deklaruar se nuk i lejohet një gjë e tillë.