Milani, kosto marramendëse për golat e Gimenezit dhe Nkunkut: Shifrat zbulojnë dështim
Një realitet i pakëndshëm po shfaqet për drejtuesit e Milanit, pasi një analizë statistikore e publikuar nga “TMW” ka nxjerrë në pah se dy blerjet më të rëndësishme të fundit në sulm nuk kanë arritur të justifikojnë çmimin e tyre. Shifrat janë të pamëshirshme.
Santiago Gimenez mbërriti nga Feyenoord për 28.5 milionë euro plus 6.5 milionë bonuse, ndërsa Christopher Nkunku, i cili iu bashkua skuadrës nga Chelsea, kushtoi 37 milionë euro plus 5 milionë bonuse, si dhe një klauzolë prej 10% në rast të një shitjeje të ardhshme.
Në total, Milani ka derdhur deri në 77 milionë euro për këta dy sulmues, por kontributi i tyre ka qenë larg pritshmërive, siç raportohet nga “TMW”, i cili citon “MilanNews”.
Gimenez ka shënuar shtatë gola në 32 paraqitje, edhe pse sezoni i tij është ndikuar ndjeshëm nga dëmtimet. Ndërkohë, Nkunku ka realizuar gjashtë gola në 29 ndeshje.
Në total, ata kanë shënuar 13 gola në 61 paraqitje – një rendiment ky shumë më i ulët se sa pritej nga dy blerje kaq të profiltuara në linjën e sulmit.
Kostoja për gol e përkeqëson edhe më tej situatën: mesatarisht, mbi 5 milionë euro për çdo gol të shënuar nga të dy. Për Gimenezin, shifrat janë edhe më tronditëse, pasi kostoja e tij shkon në afro 1 milion euro për çdo paraqitje në fushë.
Vera pritet të sjellë vendime të vështira. Shitja e ndonjërit prej tyre pa pësuar humbje financiare duket pothuajse e pamundur, ndërsa Milani ka deklaruar qartë se nuk pranon të regjistrojë humbje në bilanc.
Megjithatë, mbajtja në skuadër e dy sulmuesve që nuk kanë përmbushur pritshmëritë ngre pyetje serioze për strategjinë e transferimeve të klubit, pikërisht në prag të një merkatoje që pritet të jetë vendimtare.
