**Kosova ndalon importin e deleve e dhive nga Shqipëria për shkak të murtajës, AUV bën thirrje për kujdes maksimal**
**PRISHTINË** – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë. Ky vendim vjen pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta, e njohur si PPR (Peste des Petits Ruminants), në Qarkun e Dibrës.
Masa kufizuese është vendosur për të parandaluar përhapjen e sëmundjes PPR, e cila është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë.
AUV-ja ka apeluar për vëmendje të shtuar nga komunat kufitare të Kosovës, duke kërkuar nga drejtoritë komunale të Bujqësisë që të vendosin masa të rrepta kufizuese për lëvizjen e bagëtive të imta në kullotat e zonave kufitare. Po ashtu, fermerët që mbajnë dele dhe dhi duhet të mbikëqyrin me kujdes tufat e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me kopetë e fermerëve nga Shqipëria.
Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat dhe zonat kufitare me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e hyrjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Bazuar në situatën aktuale, AUV-ja thekson rëndësinë që fermerët të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme. Këto përfshijnë:
* Shmangien e lëvizjeve të panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën.
* Raportimin e menjëhershëm tek veterineri për çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre).
* Kufizimin e kontaktit të tufave me kafshë të tjera, sidomos në zonat kufitare.
* Respektimin e udhëzimeve dhe këshillave të AUV-së.
* Mosblerjen e kafshëve nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.
* Forcimin e masave të biosigurisë në ferma.
Sëmundja PPR, e njohur si murtaja e bagëtive të imta, është jashtëzakonisht ngjitëse dhe përhapet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, si dhe nëpërmjet sekrecioneve dhe jashtëqitjeve. Shenjat klinike përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, mund të shkaktojë ngordhje. AUV-ja thekson se kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
