Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, do të vizitojë nesër Prishtinën për një takim me Kryeministrin Albin Kurti, ku pritet të diskutohet rreth anëtarësimit në Bashkimin Evropian bazuar në merita dhe rëndësinë e sigurisë rajonale.

Takimi është planifikuar të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke nisur nga ora 13:30. Siç njoftoi zyra e Kryeministrit, mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në oborrin e Qeverisë para fillimit të tij.

Vizita në Kosovë është pjesë e një turi gjashtëditor të kryediplomatit belg në Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën. Prévot ka theksuar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se siguria e rajonit është e rëndësishme edhe për Evropën. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Shqipërinë do ta vizitojë në një fazë të dytë, me rastin e hapjes së Ambasadës belge në Tiranë.