**Dhjetëra viktima nga sulmet ruse në Ukrainë, fëmijë të vrarë edhe në Rusi**

Rusia ka nisur një valë sulmesh me dronë dhe raketa në të gjithë Ukrainën mbrëmjen e së mërkurës, duke lënë të paktën 13 persona të vdekur, sipas zyrtarëve ukrainas.

Mes viktimave në kryeqytet ishte edhe një djalë 12-vjeçar, siç bëri të ditur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës. Dy persona humbën jetën në qytetin juglindor të Dnipros. Ndërsa sulmet me raketa dhe dronë në qytetin portual jugor të Odesës rezultuan në vdekjen e gjashtë personave, raporton BBC.

Në anën tjetër të kufirit, dy fëmijë, 5 dhe 14 vjeç, u vranë nga një sulm me dron ukrainas në rajonin jugor të Krasnodar Krai të Rusisë, sipas guvernatorit Veniamin Kondratyev, i cili e bëri publike lajmin në Telegram.

Këto sulme shënojnë fundin e një armëpushimi të shkurtër që përkoi me festimet e Pashkëve Ortodokse gjatë fundjavës, periudhë gjatë së cilës të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të shumta.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi në Telegram se, përveç viktimave fatale në kryeqytet, ekipet e shpëtimit kishin nxjerrë një nënë dhe një fëmijë nga rrënojat e një ndërtese banimi 16-katëshe, e cila u shemb në lagjen qendrore Podilsky të Kievit.