Rusia ka kryer një sulm masiv me raketa dhe dronë në qytetet kryesore të Ukrainës më 16 prill, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 14 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, përfshirë një vajzë 12-vjeçare. Gjatë sulmit, raketat ruse shkatërruan shtëpi banimi, dogjën ndërtesa dhe shkaktuan vdekjen e civilëve, me goditjen kryesore që u regjistrua në zonat e banimit në Kiev dhe Dnipro.

Në kryeqytetin Kiev, bilanci i viktimave shënoi të paktën pesë të vdekur, mes të cilëve një vajzë 12-vjeçare. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se 45 banorë u plagosën. Klitschko shkroi në Telegram se mes të vrarëve ishte edhe një 12-vjeçare, ndërsa imazhet e shpërndara në rrjetet sociale treguan zjarre masive dhe shtëllunga të mëdha tymi të zi që mbulonin qiellin.

Kryebashkiaku shtoi se ekipet e shpëtimit nxorën gjallë një nënë me fëmijën e saj nga një ndërtesë banimi në lagjen qendrore, ku kati përdhes ishte dëmtuar rëndë. Ai bëri me dije gjithashtu se një raketë tjetër goditi katin e gjashtë të një pallati në lagjen Podil. Në lagjen veriore të kryeqytetit, një zjarr i madh përfshiu një ndërtesë, duke lënë të plagosur katër punonjës të emergjencës, ndërsa mbetje raketash ranë në disa zona të tjera.

Në Dnipro, qytet në juglindje, guvernatori rajonal Oleksandr Ganja raportoi dy të vrarë dhe dhjetë të plagosur, duke publikuar foto të ndërtesave të banimit të përfshira nga flakët. Edhe Odesa u godit nga sulmet gjatë natës, duke shkaktuar plagosjen e pesë personave, sipas autoriteteve ukrainase. Ndërsa në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në verilindje, zyrtarët bënë me dije se dy persona u plagosën nga sulmet me dronë.