Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena garojnë sot në Kampionatin Europian të Xhudos
Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena do të jenë sot në tatami, duke garuar në Kampionatin Europian të Xhudos, i cili po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Pas suksesit të djeshëm të Distria Krasniqit, e cila fitoi medaljen e artë, edhe kjo treshe e xhudistëve kosovarë synon të ndjekë të njëjtën rrugë drejt medaljeve.
Laura Fazliu do të konkurrojë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo e ka kaluar pa ndeshje raundin e parë, ndërsa në të dytin do të përballet me xhudisten sllovene, Kaja Kajzer.
Akil Gjakova garon në kategorinë deri në 73 kilogramë, ku në raundin e dytë do të ketë përballë austriakun Samuel Gassner.
Ndërsa Dardan Cena, po ashtu në kategorinë deri në 73 kilogramë, do të ndeshet në raundin e dytë me bullgarin Victor Skerlev.
