NASA: Asteroidi “Apophis”, i njohur si “Zoti i Kaosit”, do të kalojë pranë Tokës në vitin 2029

Një asteroid me madhësinë e tre fushave të futbollit pritet t’i afrohet Tokës brenda pak vitesh, duke u ofruar shkencëtarëve një mundësi unike për të studiuar nga afër këtë trup qiellor.

Ky asteroid, i pagëzuar Apophis sipas hyjnisë së lashtë egjiptiane të njohur si “Zoti i Kaosit”, parashikohet të kalojë pranë planetit tonë më 13 prill 2029, njoftoi Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA).

Apophis do t’i afrohet Tokës në një distancë prej rreth 32,186 kilometrash nga sipërfaqja e saj, një afrim ky më i madh se ai i shumë satelitëve që ndodhen në orbitë, specifikoi agjencia.

Megjithëse shkencëtarët e kanë klasifikuar Apophisin si një “asteroid potencialisht të rrezikshëm”, NASA ka theksuar se nuk ekziston rreziku i përplasjes me Tokën për të paktën 100 vjet.

Agjencia theksoi se: “Nuk ka rrezik për Tokën, për askënd ose asgjë që jeton në të, as për astronautët apo satelitët në hapësirë.” Ajo shtoi se “kjo ngjarje është një mundësi e mahnitshme dhe krejtësisht e pashembullt për të mësuar shumë më tepër rreth Apophis dhe asteroidëve të ngjashëm pranë Tokës.”

Vlen të theksohet se është jashtëzakonisht e pazakontë që një asteroid i përmasave të Apophis të kalojë kaq afër Tokës. NASA vlerëson se ngjarje të tilla ndodhin mesatarisht një herë në disa mijëra vjet. Nëse ky vlerësim është i saktë, atëherë kalimi i asteroidit në vitin 2029 do të shënojë rastin e parë të vëzhgimit të një ngjarjeje të tillë me teknologjinë moderne.

Apophis u zbulua për herë të parë më 19 qershor 2004 nga astronomët Roy Tucker, David Tholen dhe Fabrizio Bernardi në Observatorin Kombëtar Kitt Peak në Arizona.