Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë masakër mbetën të vrarë 53 civilë shqiptarë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe gra shtatzëna.

“Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Sot, kujtimi për ta ruhet në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur institucionalisht nga Republika e Kosovës. Aty ruhen dëshmi dhe histori familjare që e bëjnë të prekshme përmasën njerëzore të humbjes dhe obligimin tonë për të mos harruar.

Në Korroticë të Poshtme ruhen kujtimet për poetin e fëmijëve Ymer Elshani, i vrarë atë ditë bashkë me më të dashurit e tij.

Në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, civilë të tjerë shqiptarë u vranë dhe trupat e disa prej tyre u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Përkujtimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror. Dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë thelbësore për të vërtetën historike dhe për drejtësinë. Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë.

Me respekt të thellë për të vrarët dhe me solidaritet me familjarët e tyre, riafirmojmë përkushtimin tonë për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenicës!

Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!