**Maqedonci: Kosova po ecën në drejtimin e duhur**

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar para mediave se Kosova po ecën në drejtimin e duhur, teksa ka përkujtuar Zahir Pajazitin me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se Kosova po përparon në rrugën e duhur falë fuqizimit të ushtrisë, duke iu referuar historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në këtë ditë përkujtimi, unë mund të them se vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur. Ushtria jonë po ndërtohet mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur gjithmonë për bazë gjakun e derdhur për liri dhe sakrificën e brezave të tërë. Fuqizimi, armatosja dhe zhvillimi i ushtrisë bëhen gjithmonë duke iu referuar të kaluarës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi dëshmorëve të komunës së Prishtinës!”, tha Maqedonci.