Raundi i 29-të i Superligës së Kosovës vazhdon sot me tri takime tejet interesante dhe vendimtare.

Vëmendja kryesore pritet të jetë në Malishevë, ku skuadra vendase pret Ballkanin, një ekip që nuk ka më hapësirë për gabime në garën për titull. Aktualisht, Ballkani gjendet pesë pikë pas lideres Drita, dhe çdo hap i gabuar mund ta largojë edhe më shumë nga objektivi kryesor. Nga ana tjetër, Malisheva renditet në vendin e pestë me 40 pikë dhe synon të vazhdojë formën pozitive për të ruajtur pozitat e saj në tabelë.

Një tjetër përballje e rëndësishme zhvillohet mes Gjilanit dhe Dukagjinit. Gjilani mban vendin e katërt me 43 pikë, ndërsa Dukagjini pozicionohet në vendin e gjashtë me 35 pikë, në një duel ku të dy skuadrat synojnë pikë kyçe për objektivat e tyre sezonale.

Ndërkohë, një kontrast i madh dhe i qartë vërehet në përballjen mes Drenicës dhe Dritës. Drenica lufton për mbijetesë nga pozita e parafundit me 32 pikë, ndërsa Drita kryeson tabelën me 54 pikë dhe synon të vazhdojë marshimin e saj drejt titullit kampion.

Të trija ndeshjet nisin njëkohësisht, në orën 15:00.