Romelu Lukaku rikthehet te Napoli pas një muaji mungese

Romelu Lukaku pritet të rikthehet te Napoli këtë të hënë, pas një muaji mungese nga skuadra. Sipas të përditshmes “Corriere Dello Sport”, sulmuesi belg ka kryer një periudhë stërvitjeje individuale në Belgjikë dhe, përmes agjentit të tij Federico Pastorello, ka njoftuar kthimin e tij në Itali. Ai do t’i bashkohet skuadrës në qendrën stërvitore të Castel Volturno.

Situata u krijua kur Romelu Lukaku refuzoi të merrte pjesë në ndeshjet miqësore të marsit me Belgjikën, kundër SHBA-së dhe Meksikës. Vetë futbollisti shpjegoi në rrjetet sociale se vendimi ishte marrë për shkak të një problemi muskular. Më pas, në kundërshtim me dëshirën e Napolit, ai komunikoi vendimin e tij për të qëndruar në Belgjikë për t’iu nënshtruar një programi individual stërvitor.

Klubi i Napolit, nga ana e tij, hapi një procedim disiplinor dhe e gjobiti futbollistin për mungesën në dy grumbullime. Kjo shkaktoi një tension të ndjeshëm mes Lukakut, trajnerit Conte dhe drejtuesve të klubit, megjithatë Napoli u mbajt në dijeni çdo ditë për punën dhe gjendjen fizike të lojtarit.

Kontakti i fundit fizik mes Lukakut dhe Contes ishte në transfertën kundër Cagliarit më 20 mars, ndeshje në të cilën belgu nuk luajti, ashtu siç ndodhi edhe kundër Leçes. Që prej golit të shënuar në Verona – i vetmi në një sezon shumë të vështirë – Lukaku ka luajtur vetëm 6 minuta në takimin kundër Torinos.