Jashari: Rreth 170 inspektime në sektorin e ndërtimit, synohet rritja e sigurisë në punë
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, pas takimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Kosovës, deklaroi se ky bashkëpunim synon rritjen e standardeve të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve në vendet e punës.
Ai theksoi se koordinimi i ngushtë ndërmjet institucioneve dhe punëdhënësve është thelbësor për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë punëtorët.
“Sapo patëm një takim me shoqatën e ndërtuesve dhe ministrin, i cili u zhvillua në frymë plotësisht konstruktive. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me ne, secili në rolin e vet. Ne e kemi theksuar edhe më herët se partneriteti i tyre është i pazëvendësueshëm, prandaj, si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e tyre, secili në rolin tonë, do të vazhdojmë bashkëpunimin në kuadër të kontributit për çështjet e sigurisë në punë. Zbatimi i kërkesave ligjore nuk diskutohet, por duhet të vazhdojmë me një bashkëpunim të plotë që të dyja palët të kuptojnë rolin e tyre me qëllim që punëtorët tanë të mos ndodhen në situata të tilla siç kanë ndodhur deri më tani. Ishte një takim tejet konstruktiv,” tha Jashari.
Lidhur me inspektimet në vendet e punës, Jashari ofroi shifrat përkatëse.
“Shifrat janë publike në uebfaqen zyrtare të Inspektoratit Qendror të Punës. Deri tani janë kryer rreth 170 inspektime dhe riinspektime, si dhe janë vendosur rreth 71 ndalime pune. Ka pasur edhe lejime, në varësi të kompanive ose subjekteve që kanë plotësuar rekomandimet tona. Të gjitha këto informacione janë publike dhe mund t’i referoheni uebfaqes sonë zyrtare të Inspektoratit Qendror të Punës,” theksoi Jashari, raporton Ekonomia Online.
