Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot ngjarjen “Gratë në PDK” në kuadër të Javës së Gruas 2026, që organizohet nga NDI, ku u diskutua lidhur me rolin e grave në politikë, sfidat e përfshirjes së tyre dhe nevojën për zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm për rekrutimin dhe avancimin e vajzave dhe grave në strukturat partiake.
Pjesëmarrëseve iu drejtua Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, e cila tha se misioni i partisë është i qartë “një parti ku burrat dhe gratë nuk janë në role të ndara, por janë bashkë në një tavolinë vendimmarrëse, si partnere të barabarta, si bashkëkrijuese të politikave dhe si bartëse të përgjegjësive”.
“Ne nuk duam gra vetëm në lista, ne duam gra në vendimmarrje. Ne nuk duam gra vetëm në fushata, ne duam gra në drejtim. Ne nuk duam përfaqësim simbolik, ne duam ndikim real. Sepse kur gratë përfshihen në politikë, politika bëhet më e ndjeshme ndaj qytetarëve, më e përgjegjshme dhe më e drejtë. Gratë sjellin perspektiva të reja, përvoja të ndryshme dhe një qasje që shpesh mungon në vendimmarrje. Ato janë zë i familjes, i komunitetit dhe i së ardhmes. Prandaj është jetike që gratë të mos jenë vetëm pjesë e politikës, por të jenë në qendër të saj”, tha Çitaku.
Ajo falënderoi të gjitha gratë dhe vajzat që janë pjesë e strukturave të PDK-së në Kuvende Komunale, në ekzekutiv, në parlament dhe në çdo nivel të organizimit partiak.
“Ju jeni forca jonë, ju jeni zëri ynë dhe ju jeni garancia jonë për një të ardhme më të mirë. Ju faleminderit për punën, përkushtimin dhe guximin tuaj. Sot është një ditë angazhimi. Një ditë për të ndërtuar ura edhe më të forta mes nesh. Një ditë për të krijuar ide të reja dhe për t’i kthyer ato në veprime konkrete. Le ta vazhdojmë këtë rrugë bashkë, më të forta, më të bashkuara dhe më të vendosura se kurrë”, shtoi Çitaku.
Ndërsa, kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, deputetja Arbnora Salihu theksoi se kur vajzat dhe gratë ecin bashkë dhe mbështesin njëra-tjetrën, ndryshimi në shoqëri është i pashmangshëm.
“Jam shumë krenare që në strukturat e Rinisë Demokratike kemi përfaqësim gjinor të barabartë 50/50. Kjo është dëshmi e angazhimit tonë si PDK dhe si rini për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje. Prandaj sot, kam vetëm një mesazh: Le të jemi rrjet mbështetjeje për njëra-tjetrën. Le të jemi arsyeja pse një vajzë e re vendosë të mos dorëzohet dhe të merret me politikë”, tha ajo.
Ky aktivitet shërbeu si platformë për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe diskutim të hapur ndërmjet grave në nivele të ndryshme të partisë dhe lidershipit të PDK-së, ku u trajtuan çështjet lidhur me angazhimin e grave në politikë në disa panele diskutimi me këtë përbërje: Vlora Çitaku dhe Arbnora Salihu; Besa Kabashi-Ramaj dhe Eliza Hoxha, Besianë Musmurati, Blerta Deliu-Kodra dhe Vanesa Sadriu-Topojani; si dhe Selvije Halimi, Fjolla Vukshinaj-Reqica, Jeta Zymberi-Selmani dhe Ardian Arifaj.
