Nehat Geci, vëllai i Gani Gecit, ka deklaruar se Ilir Kërçeli ka shkruar fjalimin e Fatos Gecit, në të cilin ky i fundit uronte burgim të përhershëm për Hashim Thaçin.
Geci pretendon se këtë informacion e ka marrë nga Artoni, vëllai i Fatos Gecit.
Përmes një postimi, Nehat Geci ka detajuar se si erdhi në posedim të këtij informacioni: “Sot, rreth orës 13:50, ndodhesha në një kafiteri në Skenderaj, duke pirë kafe së bashku me dy nipërit e mi, Artonin (vëllain e Fatosit) dhe Festimin. Gjatë një bisede telefonike me Fatosin, ai më tregoi personalisht se fjalimin që ka mbajtur në Kuvend ia ka shkruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ilir Kërçeli, të cilin unë në fakt nuk e njoh fare. Pas kësaj, kreva një kërkim të shkurtër për të parë se kush është Ilir Kërçeli dhe gjeta këtë foto. Kjo është e vërteta e kësaj historie. Këtë bisedë e kanë dëgjuar edhe Artoni dhe Festimi,” ka shkruar Geci.
Më herët, Fatos Geci kishte deklaruar se fjalimin në fjalë e kishte shkruar vetë, duke i cilësuar si spekulime pretendimet e ndryshme, përfshirë edhe ato të xhaxhait të tij, Gani Gecit.
