**Bosnjë: Babai dyshohet se vrau vajzën 2-vjeçare dhe më pas veten**
Një tragjedi e rëndë ka tronditur sot Bosnjë e Hercegovinën, ku dyshohet se një burrë 49-vjeçar ka vrarë vajzën e tij 2-vjeçare dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Prokuroria Publike e Qarkut të Sarajevës Lindore ka njoftuar se ka urdhëruar autopsinë e trupave të babait dhe fëmijës, të cilët u gjetën të pajetë në fshatin Kabernik, pranë Vishegradit.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria theksoi se prokurori kujdestar ka drejtuar hetimet në vendngjarje dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për të zbardhur rrethanat e këtij rasti tragjik. “Është urdhëruar autopsia për të përcaktuar saktësisht kohën dhe shkakun e vdekjes”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë, raportojnë mediat lokale.
Bazuar në rezultatet e para të hetimeve, dyshohet se personi me iniciale E.D., me origjinë nga Gorazhdja, ka vrarë fëmijën e tij dyvjeçar dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Mediat lokale bëjnë me dije se E.D. ishte i ndarë nga bashkëshortja. Ai i kishte lënë familjes një letër lamtumire, të cilën ata e kanë raportuar menjëherë në polici. Pas denoncimit, forcat e rendit kanë dalë në terren dhe kanë gjetur trupat e babait dhe fëmijës në fshatin Kabernik.
